“Lehtësia e papërballueshme e një qyteti” – Gazeta Shqiptare për Hapësira Zero Space

“Lehtësia e papërballueshme e një qyteti” – Gazeta Shqiptare për Hapësira Zero Space

Fatmira Nikolli – 8 portat e Tiranës në Bienalen e Venecias u ngjajnë 7 portave të Damaskut si hyrje në qytetërimin dhe shpirtin e një vendi – në të dyja rastet të një kryeqyteti. Krahasimi çalon – si çdo i tillë – por qasja ndaj historisë së një vendi është si trokitja në portat e tij. 3600 fotografi shihen sapo kalon dykanatëshet e drunjta – të vjetra si Tirana, të reja si Tirana, të palyera si Tirana, bojëdala si Tirana, joshëse si Tirana, gri si Tirana, me ëndrra si Tirana, të pista si Tirana, ekzotike si ajo, të trishta si ajo.

Matanë tyre sheh fragmente të jetës sonë të përditshme. Nën dy çadra plazhi është pazari i fruta-perimeve, e sa ngjet shkallët “mbërrin” në Paris (night club), një pallto e varet në kangjella, një fëmijë luan me dajre, një burrë i shtrirë në stolat e parkut, një pamje e ëndërrt, e një zhylltë-kthina e rrugina që herë të kalojnë matanë e herë s’të çojnë askund. Ky është kati përdhes e katet përmbi – ku shijet personale e pakujdesia personale, i ka dhënë formë një qyteti të tërë, duke e shndërruar pamjen e kahershme e duke përcaktuar fort pamjen e ardhshme. Qyteti i ‘fryrë’, i ngjan një pazëlli të krijuar pothuaj me zor, ku çdo gjë e re ka qëndruar si mballomë pa mundur të shkrihet e të bashkëjetojë në harmoni me historinë. Kalimtarët e qëndrestarët kanë lënë gjurmët e tyre e ngjyrat e tyre – por kostumi i Arlekinit nuk i përbashkon mendimet e vizitorëve.

Tirana që shohim përditë është transferuar në Venecia- nën petkun e një koncepti artistik, që ka synuar ta përçojë kryeqytetin si është. Katër arkitektët Dorian Tytymçe, Florian Pollo, Jurtin Hajro dhe Enri Leka me kuratorin Elton Koritari kanë dashur të prezantojnë pa pasur ‘detyrimin’ për ta shndërruar atë në një më të mirë se ç’është.

Ndaj në imazhet e realizuara gjatë një fushate janë ofruar këndvështrimet e qytetarëve dhe fotografëve për hapësirat e tyre. Në 3600 çaste të ndaluara në kohë, që varen në pavijonin shqiptar në “Arsenale” gjen copëzat të asaj që është rehatia jonë, kaosi ynë, ekzotizmi ynë dhe vepra jonë.
Përkarshi baltës gjendet ushqimi i përditshëm dhe shkallaret një shtëpie që e zonja i lan, përplasen të varura në korniza metalike, buzëqeshja e një vogëlushi dhe rrudhat e një të moshuari; burri me qeleshe e gruaja me shami, pas të cilëve shkruhet ‘mos parko’ në qytetin që mezi merret frymë e ku tapetet varen mbi ballkon, biçikletat mbi mure e ‘bastet live’ rrinë përballë valëvitjes së një flamuri. Kornizat metalike duke ndërvepruar me rrymat e ajrit krijojnë tinguj, që në mënyrë metaforike simbolizojnë zërin e qytetit.

Kjo është panorama e pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias. Në emrin “#TiranaZeroSpace”, ai hapi dyert të premten bashkë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës, “Venecia 2018”.

Pavijoni shqiptar komisionohet dhe mbikëqyret nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë. Në fjalën e mbajtur në hapje, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro foli për nder dhe përgjegjësi në të pestin vit të prezantimit të Shqipërisë në Bienalen e Venecias. “Njëherë e artit dhe njëherë e arkitekturës, pikërisht këtu në Arsenale, tashmë Shqipëria ka ngritur vatrën e vet, që me sa duket do të jetë e gjatë. Sfida jonë nuk është më si të ndërtojmë një projekt, por si të jemi më të mirë se viti pararendës. Të jesh më i mirë se vetvetja është një sfidë shumë e madhe”, tha Kumbaro duke ia kaluar meritat grupit të arkitektëve dhe kuratorit teksa foli për “një projekt që ka brenda historinë, të sotmen dhe të ardhmen dhe kjo ka vetëm një emër: Tirana jonë”.

Për MK, që këtë vit ka pasur partner Bashkinë e Tiranës, pavijoni shqiptar kurohet nga një ekip i kompozuar me kujdes dhe që ka si emërues të përbashkët qasjen e thellë kritike ndaj projektimit, një qasje kjo, që kërkon stimujt jo vetëm në botën vizuale, por gjithashtu inspirohet nga pëlhura sociale, njerëzimi, historia dhe kultura lokale si e tërë. Hapësira 0 “vjen si një dëshirë për t’i treguar publikut të Venecias një model të jetesës dhe arkitekturës në qytet, i cili ka në qendër njeriun dhe qytetarin. Por, nga ana tjetër ajo synon edhe hapjen e një dialogu me vetë qytetarët e Tiranës”.

TIRANA FANTASTIKE
Titulli nxitet sa nga një prej veprave të Ibrahim Kodrës, po aq edhe perceptimi që ka për kryeqytetin njëri prej arkitektëve të grupit të punës. Florian Pollo i referohet disa herë me këtë mbiemër Tiranës.

“Kemi përzgjedhur mediumin e fotografisë për të përshkruar vibrancën dhe energjinë e Tiranës, që ka një diversitet e intensitet fantastik programatikash. Janë 3600 foto të shkrepura nga vetë komuniteti. U mor këndvështrimi i qytetarëve e fotografëve për të parë se si ata e shihnin specifikën e katit përdhes të një qyteti, programet e jetën fantastike që ndodh në këtë fashë të qytetit”, thotë ai.
Për Pollon, Tirana nuk është e heshtur, “nuk është një qytet që s’ka çfarë thotë, është një qytet vibrant, me energji mesdhetare e ky instalacion artistik i varur si re shumëngjyrëshe mbi hapësirën që formohet nga dyert e Tiranës, do të sintetizojë pikërisht këtë koncept”.
Instalacioni synon të krijojë një përvojë e përjetim multishqisor me prekjen e dyerve, perceptimin e fytyrave në foto dhe dëgjimin e zërit të qytetit nga përplasja e kornizave metalike.

A e ka Tirana këtë rrëmujën e kakofoninë që përcjellin imazhet?
“Ne përdorim fjalë të tjera për të përshkruar këtë energji që e shohim si energji të bukur. Shumë miq të huaj që vijnë në Tiranë magjepsen nga kjo energji e Tiranës, që nuk e gjejnë në qytete të tjera. Jeta gëlon në katin përdhes nga periferia në qendër në çdo lagjeje banimi”, thotë Pollo.
Teksa frika e një artifici qëndron pezull, ajo që tingëllon si ligjërimi i një mesazhi politik për Pollon lë vend për të bërë një sqarim.
Pyetjes se sa politik mund të jetë një pavijon, Pollo i përgjigjet se “është aq jopolitik, sa që për të arritur në këtë sintezë artistike na u desh të zhvisheshim vetë nga disa komplekse që kemi ne si shoqëri. Qofshin edhe komplekse politike, duke mbërritur në përfundimin se në fakt politikanët pas viteve 1990 nuk kanë pasur asnjë rol, planifikuesi nuk ka pasur asnjë rol. Ne kemi sjellë në piedestal qytetarin, sepse ka qenë ai, protagonisti i Tirana 0 Space që është sot”.

Qytetari për të cilin flet Pollo, si pjesë e grupit të punës që ka ndërtuar e konceptuar pavijonin, është njëherësh qytetari që ka (sh)formuar edhe Tiranën që shohim në bienale.

Herë-herë në bienale gjen edhe Tiranën e margjinalizar, atë ku shihet papastërtia dhe mungesa e rregullit.
“Nuk jemi këtu për të sjellë Tiranën siç nuk është. Është e vështirë për ne që jetojmë aty përditë, të shohim gjërat e zakonshme me sy të jashtëzakonshëm. Jemi përpjekur të shohim ndërveprimin e njerëzve me arkitekturën, me hapësirën e qytetin”, thotë Pollo dhe pohon se ajo ende vijon të duket ekzotike në sytë e turistëve.

“Jetojmë në ‘katin përdhes’, ku zbresim me shapka poshtë, blejmë bukën, mishin, perimet, presim flokët për 10 minuta në pak metra. Kjo lehtësi, për dikë që vjen nga jashtë është e pakuptueshme”.

Pollo pohon se ka një histori për portat e ekspozuara në bienale.

“Si element identitar për çdo banesë, ne kemi marrë portat tipike tiranase, nga familje tipike tiranase. Janë porta që janë dhuruar duke i zëvendësuar me të reja – disa hekuri, e disa druri – siç i deshën. Shumica prej tyre ishin shumë të kënaqur, sepse po i shpëtonin portat e tyre, që po degradonin duke qenë ekspozita do ketë jetë përtej bienales”.

Mikpritja e portave të hapura tiranase, pas të cilave gëlonte jeta e shfrenuar e një qyteti, ngjalli interes në Arsenale. Grupi shqiptar u la vendin miqve të shuanin kureshtjen e të shijonin ‘Hapësirën Zero’ të Tiranës Fantastike, me lehtësinë e saj të papërballueshme.
Bienalja e Arkitekturës (e Artit) në Venecia është një nga ngjarjet më të rëndësishme të fushës në botë. Përfaqësues shtetesh nga e gjithë bota mblidhen çdo vit, herë për art e herë për arkitekturë, duke konkurruar për ‘Luanin e Artë’, ose duke u rrekur të gjejnë hapësirën e merituar në Arsenale.

Ekspozita e XVI Ndërkombëtare të Arkitekturës ka temën “Freespace” dhe mbahet deri më 25 nëntor 2018 në Arsenale dhe Giardini në Venecia, Itali.

 

Lehtësia e papërballueshme e një qyteti, Tirana ‘fantastike’ në Bienalen e Venecias

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Zero Space